Site icon Telegrafi

Çfarë do të thotë nëse mjeku ju thotë se “bebja është mbrapsht”?

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Nëse bebja prezanton me pelvik kjo do të thotë se nëse lindja do të kryhet me rrugë vagjinale, atëherë fillimisht do të dalin vithet ose këmbët e bebes, kurse në fund do të lind koka. Zakonisht në 97% të rasteve duke filluar nga java e 37 bebja prezanton me kokë. Nga ky trepërqindëshi që mbetet shumica janë prezantim me pelvik; shumë rrallë ndodhë që bebja të jetë e vendosur për së gjëri, pra pjesa prezantuese është dora ose krahu – kjo në gjuhën mjekësore quhet prezantim transversal.

Nëse bebja vazhdon të prezantojë me pelvik edhe pas javës së 37, atëherë gjasat janë shumë të vogla që pas kësaj jave të kthehet me kokë teposhtë. Ajo, është shumë e madhe dhe nuk mund të bëjë lëvizje aq të mëdha dhe të kthehet me kokë teposhtë (ndonëse teorikisht mund të kthehet edhe disa orë para se të lind, por kjo ndodhë jashtëzakonisht rrallë). Nëse vazhdon të prezantojë me pelvik, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë që të bëhet rrotullimi i jashtëm i bebes (ose i ashtuquajturi versioni i jashtëm cefalik).

Versioni i jashtëm cefalik bëhet për ta kthyer beben me kokë teposhtë në mënyrë që bebja të lindë me rrugë vaginale. Mjeku me të dy duart ushtron presion nga jashtë në kokën dhe pelvikun e bebes dhe përpiqet që ta rrotullojë me kokë teposhtë. Versioni i jashtëm cefalik është i suksesshëm në 2/3 e rasteve nëse prezantimi është me pelvik, kurse nëse bebja është e vendosur në mënyrë gjerësore (transversal) versioni është i suksesshëm në mbi 95% të rasteve. Versioni i jashtëm cefalik është më i vështirë nëse është shtatzënia e parë pra nëse ajo grua nuk ka lindur më parë. Janë disa rrethana kur mjeku as që ju rekomandon versionin e jashtëm cefalik; versioni i jashtëm cefalik nuk guxon të bëhet nëse shtatzënia është me binjakë ose trenjakë, nëse keni placenta previa, nëse keni shumë pak lëng amnial ose nëse keni lindur më parë me prerje cezariane.

Si çdo procedurë tjetër edhe versioni i jashtëm cefalik mund të përcillet me komplikime të mundshme si për shembull mund të ndodhë shkolitja e placentës gjatë manovrimeve që bëhen për ta rrotulluar beben ose mund të vie deri te vuajtja e menjëhershme e shpejtë e bebes. Nëse ndodhë një gjë e tillë atëherë urgjentisht duhet të kryhet lindja me prerje cezariane. Prandaj, versioni i jashtëm cefalik duhet të kryhet vetëm në maternitetet ku është e mundur që nëse paraqitet nevoja, urgjentisht të kryhet lindja me prerje cezariane.

Në ditët e sotme shumica e mjekëve as që e rekomandojnë versionin e jashtëm cefalik, sepse konsiderojnë se bebja mund të rrezikohet shumë nga kjo procedurë. Është e vërtetë se shumë pak shtatzëna të cilat kanë beben me pelvik vendosin të lindin me rrugë natyrale, prandaj edhe mjekët kanë gjithnjë e më pak përvojë në kryerjen e lindjeve me pelvik. Shumicën e rasteve gratë të cilat kanë beben me pelvik vendosin që të lindin me prerje cezariane.

Rekomandohet që shtatzëna të mos hajë e pijë asgjë që nga darka një ditë përpara se të bëhet versioni i jashtëm cefalik. Nëse shtatzëna është Rh negative, atëherë duhet t’i jepet imunoglobulina. Përpara procedurës bëhet ekzaminimi me ultrazë për të përcaktuar saktësisht vendosjen e bebes, sasinë e lëngut amnial dhe pozicionin e placentës. Gjatë gjithë kohës përcillen rrahjet e zemrës së frytit për të parë mos ka shenja vuajtjeje. Pasi që të kryhet procedura prapë përsëritet ekzaminimi ultrasonografik.

Lexo po ashtu Si llogariten javët e shtatzënisë dhe termini i lindjes?

E çfarë ndodhë nëse dështon versioni i jashtëm cefalik?

Nëse dështon përpjekja për ta kthyer beben me kokë teposhtë, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë që lindja të kryhet me prerje cezariane. Nuk do të thotë se një bebe e cila prezanton me pelvik e ka të pamundur që të lindë me rrugë vaginale, por bazuar në studimet e shumta që janë bërë është parë që bebet të cilat lindin me pelvik kanë më shumë mundësi që të vuajnë gjatë lindjes. Sido që të jetë, krejt varet nga konstitucioni i trupit të shtatzënës, nga madhësia e bebes dhe nga mënyra se si ka shkuar deri atëherë procesi i lindjes. Nëse bebja nuk është shumë e madhe dhe mjeku e vlerëson se mund të kryhet lindja me rrugë vaginale, atëherë ai mund t’ju rekomandojë që lindja të kryhet me rrugë natyrale. Shumica e udhërrëfyesve klinik sot rekomandojnë që nëse bebja prezanton me pelvik, atëherë duhet të provohet versioni i jashtëm cefalik dhe nëse ky dështon atëherë lindja duhet të kryhet me prerje cezariane.

Çfarëdo veprimi që planifikohet, cilado rrugë e menaxhimit që përzgjidhet, patjetër që fillimisht duhet të merret aprovimi i shtatzënës. Mund të ndodhë që shtatzëna të refuzojë versionin e jashtëm cefalik dhe të kërkojë që lindja të kryhet me operacion. Nëse zgjidhet një rrugë e tillë, atëherë nuk duhet të planifikohet lindja me prerje cezariane para javës së 39 të shtatzënisë (përveç nëse fillojnë kontraksionet e lindjes apo nëse pëlcasin membranat amniale). /Telegrafi/

Exit mobile version