SHBA-ja dhe Britania e Madhe së fundmi kanë kryer sulme ajrore kundrejt grupit militant, Houthi në Jemen, me qëllim të frenimit të sulmeve rebele ndaj anijeve që kalojnë nëpër Detin e Kuq.
Sulmet u mbështetën nga një numër i aleatëve të të dy vendeve.
Raketat e lëshuara kanë goditur dhjetëra objektiva, dhe kanë dëmtuar aftësinë ushtarake të grupit rebel, i cili i ka mbijetuar edhe bombardimeve të mëparshme nga Arabia Saudite.
Cilat objektiva u goditën?
Sipas SHBA-së, janë sulmuar 60 objektiva në 16 lokacione militante Houthi të mbështetura nga Irani.
Sulmet u raportuan në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, i cili kontrollohet nga rebelët, në portin Houthi të Detit të Kuq, dhe bastionin veriperëndimor të grupit.
Mbretëria e Bashkuar tha se sulmet britanike përfshinin Bani në veriperëndim të vendit, i njohur si vend operacional me dron, dhe aeroportin Abbs.
Zëdhënësi ushtarak i Houthi ka njoftuar se janë goditur nga 72 sulme.
A ka viktima?
Siç bëhet e ditur, pesë anëtarë të grupit militant janë vrarë, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur.
Por, Pentagoni ka deklaruar se sulmet ishin në drejtim të objektivave ushtarake dhe jo civile.
Cila është strategjia e sulmeve?
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake nëse është e nevojshme.
Gjithashtu, SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk ka për synim të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme.
Kjo nënkupton që çdo veprim i ardhshëm ushtarak nga amerikanët, do të vijë me kufizime.
Sulmet e fundit kanë për qëllim degradimin dhe shkatërrimin e aftësive të grupit militant, për t’ia pamundësuar nisjen e sulmeve të reja ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Çfarë armësh u përdorën nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për ekzekutimin e sulmeve?
Pjesa më e madhe e bombardimeve erdhën nga aeroplanët amerikanë. Anijet luftarake të marinës amerikane kanë lëshuar raketa lundrimi Tomahawk, të cilat përmbajnë GPS dhe mund të programohen në atë mënyrë që të shmangin çdo rrezik që i kanoset.
Ndërsa nuk janë dhënë shifra specifike se sa raketa janë lëshuar, SHBA-ja tha se janë përdorur më shumë se 100 municione të llojeve të ndryshme të drejtuara me saktësi.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka dërguar katër aeroplanë luftarak Typhoon RAF, të cilët përmbanin bomba të drejtuara Paveway IV.
Si po reagojnë Houthi?
Duke reaguar ndaj sulmeve të së premtes, udhëheqësi i Houthi, Mohammed al-Bukhaiti, tha se SHBA-ja dhe Britania e Madhe shpejt do të kuptojnë se veprimi i tyre ishte “marrëzia më e madhe në histori”.
Një tjetër zëdhënës i grupit tha se, SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë gabim nëse mendojnë se me anë të sulmeve do të arrijnë të ndalin mbështetjen e Jemenit për palestinezët.
Irani i cili i mbështet Houthi, ka dënuar sulmet në Jemen duke i cilësuar si “shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial”, si dhe shkelje e ligjeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, zyrtarët e lartë amerikanë vazhdojnë të besojnë se Irani si mbështetës i Houthi, ka qenë i përfshirë në këto sulme.
Si po i justifikojnë sulmet Biden dhe Sunak?
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se sulmet në Detin e Kuq ishin “përgjigje e drejtpërdrejtë” ndaj Houthit.
“Këto sulme kanë rrezikuar personelin amerikan, marinarët dhe partnerët tanë. Gjithashtu kanë rrezikuar tregtinë dhe lirinë e lundrimit”, tha Biden.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Rishi Sunak, shtoi se veprimi ishte “i nevojshëm” dhe proporcional për mbrojtjen e transportit global.
“Edhe pse komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar, Houthit kanë vazhduar të kryejnë sulme në Detin e Kuq, duke përfshirë edhe sulme kundër anijeve amerikane e britanike”, tha udhëheqësi britanik.
Sulmet e dy aleatëve ndërkombëtarë u mbështetën nga një koalicion i Australisë, Bahreinit, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Zelanda e Re, dhe Koreja e Jugut.
Gjithashtu, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë deklaruar se sulmet e tyre janë kryer “në përputhje me të drejtën e vetëmbrojtjes individuale dhe kolektive”. /Telegrafi/