Një vaksinë e re që mbron njeriun nga COVID-19 është gati 94.5 për qind efektive, tregojnë të dhënat e hershme nga kompania amerikane Moderna.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, lajmi vjen derisa ditë më parë edhe kompania tjetër amerikane Pfizer deklaroi se vaksina eksperimentale rezultoi me efikasitet prej 90 për qind.
Të dyja kompanitë përdorën një qasje mjaft inovative dhe eksperimentale për të hartuar vaksinat e tyre.
Sidoqoftë, këto të dhëna janë ende të hershme.
Çfarë dihet për testimin?
Së fundmi u lansuan rezultatet e hershme nga provat klinike të fazës së tretë të vaksinës eksperimentale nga kompania Moderna me bazë në SHBA.
Këto prova kryhen tek njerëzit për të vlerësuar se sa e sigurt dhe efektive është një vaksinë.
Testimi i Moderna-s përfshiu më shumë se 30 mijë pjesëmarrës në SHBA të ndarë në dy grupe, njëri grup me dy doza të vaksinës dhe tjetri me një placebo.
Gjetjet e reja janë shumë premtuese.
Bazuar në të dhënat nga 95 pjesëmarrës me raste të konfirmuara nga COVID-19 të paktën dy javë pas dozës së dytë të vaksinës, studiuesit raportojnë se vaksina ka një efikasitet prej 94.5 për qind.
Me fjalë të tjera, 90 nga rastet e COVID-19 ndodhën midis pjesëmarrësve të cilëve iu kishin dhënë një placebo, derisa vetëm pesë raste midis tyre kishin marrë vaksina, sipas The Guardian.
Kur ekipi analizoi ndarjen për 11 raste të rënda të COVID-19, ata zbuluan se të gjitha kishin ndodhur midis atyre që kishin marrë placebo.
Çka nuk dimë për vaksinën?
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë imuniteti pasi vullnetarët do të duhet të monitorohen më gjatë për të parë rezultatin, raporton BBC.
Ka dyshime që vaksina ofron një mbrojtje në grupmoshat më të vjetra, të cilët janë më të rrezikuar nga coronavirusi, mirëpo nuk ka të dhëna të plota.
Gjithashtu nuk dihet nëse vaksina ndalon njerëzit të sëmuren rëndë, ose nëse i ndalon ata që ta përhapin virusin.
A është e sigurt?
Asnjë shqetësim i rëndësishëm i sigurisë nuk është raportuar, por asgjë, përfshirë paracetamolin, nuk është 100 për qind i sigurt.
Rraskapitje afatshkurte dhe kokëdhimbje u raportuan pas injeksionit tek disa pacientë.
“Këto janë efektet që ne do t’i presim nga një vaksinë që funksionon dhe nxit një përgjigje të mirë imune”, tha Peter Openshaw nga Imperial College London.
Si krahasohet kjo me vaksinën e Pfizer?
Të dyja vaksinat përdorin të njëjtën qasje të injektimit të një pjese të kodit gjenetik të virusit në mënyrë që të nxitet një përgjigje imune.
Të dhënat paraprake që kemi parë deri më tani janë shumë të ngjashme – vaksina e Pfizer dhe e BioNTech mund të ofrojë 90 për qind mbrojtje ndërsa e Moderna-s rreth 95 për qind.
Sidoqoftë, të dyja testimet janë ende duke u zhvilluar dhe numrat përfundimtarë mund të ndryshojnë.
Kur do ta marrim vaksinën?
E gjitha kjo varet nga vendi ku jetoni se sa vjeç jeni.
Moderna thotë se do të aplikojë tek rregullatorët e SHBA-së në javët e ardhshme, derisa thuhet se ka 20 milionë doza në dispozicion.
Kompania amerikane shpreson që të prodhojë deri në një miliard doza në mënyrë të të përdoret në të gjithë botën deri vitin e ardhshëm derisa do të kërkojë miratimin e vendeve të tjera. /Telegrafi/