Site icon Telegrafi

Çështja e targave, Departamenti Amerikan: Shpresojmë të zgjidhet në mënyrë paqësore ditëve në vijim   

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price deklaroi se SHBA e mbështetë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa duke folur për çështjen e targave tha se shpreson që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore ditëve në vijim.

Price, në një paraqitje para mediave tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe përkrahëse për dy vendet.

“Epo, mesazhi ynë për këtë ka qenë i qëndrueshëm. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces.

Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor. Ai nënvizoi mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja”, tha ai, raporton Telegrafi.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më tej theksoi se sekretari Blinken kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se do ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për çështjen e targave. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version