Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan të martën në Bruksel për çështjen e dinarit.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se pavarësisht që u shënua si një hap i rëndësishëm përpara, mbeten pyetje të pazgjidhura për të cilat nevojiten takime shtesë për t’u trajtuar.
“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së”, ka shkruar Lajçak në platformën X.
“Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shtuar i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ndërkohë, tensionet politike mbeten të larta dhe shpresat për një zgjidhje të menjëhershme nuk janë reale.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, transmeton Telegrafi.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BQK.
Më tej, në njoftim thuhet se “BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”.
Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi./Telegrafi/
I welcome the commitment of the Parties to finding a sustainable solution for the communities affected by the recent CBK regulation. Today’s Dialogue meeting was an important first step, but many political questions remain unanswered. Additional meetings will be needed. https://t.co/yhSXZsw8FP
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 27, 2024