Po bëhet një vit që po diskutohet për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ndërkaq në seancën ku pritej të diskutohej për të, kryeministri Isa Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës.
Burime të Telegrafit thanë se ky Projektligj nuk pritet të ridërgohet në Kuvend gjatë muajit shtator.
“Demarkacioni është tërhequr nga qeveria. Mbetet qeveria me riprocedu në Kuvend kurdo që ata vlerësojnë, por jo këtë muaj”, tha ky burim për Telegrafin.
Kundërshtari i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, njëherësh deputet i LDK-së, Shpejtim Bulliqi për këtë çështje pati thënë se ekspertët tashmë e kanë thënë fjalën e vet, ku është ardhur në përfundim se Komisioni Shtetëror për demarkacion ka bërë lëshime gjatë punës.
Ai pati thënë se mbetet i palëkundur në qëndrimin e vet kundër këtij demarkacioni.
Duke folur për kushtin e vënë për liberalizim të vizave, ai ishte shprehur se nuk është demarkacioni por krimi, korrupsioni dhe politikbërja e keqe që e ka sjellë vendin në këtë pozicion.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, Murat Meha në një tryezë të mbajtur për çështjen e demarkacionit pati thënë se regjistrat kadastralë janë të vetmit relevantë me të cilët duhet të shënohet kufiri, pasi, sipas tij, nëse nuk veprohet kështu gjatë shënimit të kufirit vendi ka për t’u dëmtuar shumë.
Në një diskutim të ashpër në lidhje me tokat e Çakorrit në debatin e 3 gushtit të këtij viti për argumentet dhe kundër argumentet, Meha ka thënë se Çakorri ka qenë dhe mbetet jashtë territorit të Kosovës. /Telegrafi/