Në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ekziston një mekanizëm i cili duhet të kontribuojë për uljen e tensioneve dhe për identifikimin e dukurive të urrejtjes, që është shënuar qartë në Protokollin të cilin vitin e kaluar e nënshkruan ministritë e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve, por ai nuk po zbatohet, thotë këshilltarja për Politikë të Jashtme e ish kryeministrit Kiril Petkov, Vesela Çerneva.
“Nuk mund të themi se nuk ka instrumente të mjaftueshme”, thotë Çerneva në intervistë për emisionin “Para të gjithëve” në Radion Kombëtare Bullgare, duke e komentuar zhvillimin më të ri të ngjarjeve mes Shkupit dhe Sofjes.
Çerneva potencoi se muajt e fundit ka rritje të dukshme të tensioneve në marrëdhëniet reciproke, duke shtuar se një lloj të tillë të përshkallëzimeve ka sa herë kur “vie era zgjedhje”.
“Nga të dyja anët e kufirit ka parti të cilat i shfrytëzojnë tensionet që ta rrisin imazhin e tyre”, përfundon Çerneva.
Ajo vlerëson se në kushte të tilla njerëzit e rëndomtë gjenden në mjedise të ekspozuar në presion të “ekstremeve nga të dyja anët” dhe bëhen viktima të presionit të tillë.
“Ato janë procese të cilat na ndajnë nga zemra e integrimeve evropiane dhe na fusin në pozitë margjinale, sepse merremi me zënka dypalëshe. Cilësia e anëtarësimit tonë evropian gjithnjë e më shumë po dobësohet”, shton Çerneva.
Sipas saj, rritja e tillë e tensioneve “në mënyrë shtesë ua vështirëson jetën bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
“E pamë si një deputet evropian bullgar e kërcënon presidentin maqedonas me atentat. Lloji i tillë i kërcënimeve nuk duhet të jetë pjesë e marrëdhënieve dypalëshe. Ruajtja e tonit të mirë dhe dinjitetit do t’i ndihmojë bullgarët të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut më shumë se sa kjo qasje e papërgjegjshme”, vlerëson Çerneva.
Ajo thekson se tërheqja e ambasadorit bullgar nga Shkupi përfaqëson “gjest joadekuat”, sepse hapa të tillë merren në “situata të jashtëzakonshme”.