Të hënën u shënua 24 vjetori i çlirimit të Kosovës, ndërkaq u organizua pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë tjerë.
Ajo çfarë u pa është se ndonëse ishin të ftuar, ambasadori i SHBA-s, Jeffrey Hovenier dhe ambasadorë të vendeve të QUINT-it nuk kanë marrë pjesë në pritjen shtetërore.
Në këtë ceremoni, janë parë vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe Austrisë, si dhe komandanti i KFOR-it. Nuk kanë marr pjesë as opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK.
Ndërkaq, lidhur me atë nëse kishte bojkotim të organizimit nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se të gjitha shtetet e Quint-it kanë pasur përfaqësues në organizimin e përbashkët nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Kupina thotë se vendet e ndryshme kanë pasur përfaqësim nga ambasadorë e zëvendës ambasadorë.
“Pritja për nder të 12 qershorit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë”, tha ai.
Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani thotë se nuk është e vërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore.
“Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka deklaruar tutje Kupina.
E në organizimin për 24 vjetorin e çlirimit të vendit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se më 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.
Ajo theksoi se Dita e Paqes, që njihet edhe si Dita e Çlirimit është datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.
“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri”, tha presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti deklaroi se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirim, vetëvendosje e pavarësi.
Ai tha se shpërbërja e Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe solli edhe fundin e okupimit të Serbisë.
Kurti u shpreh se demonstratat e studentëve e grevat e minatorëve u shndërruan në lëvizje popullore.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se 12 qershori 1999, është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë.
“Përveç ditë e rëndësishme e çlirimit nga Serbia, kjo është ditë e falënderimit dhe kujtimit dhe reflektimit tonë”, tha kryeparlamentari Konjufca. /Telegrafi/