Telegrafi

Ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj në veri, nuk pritet të ketë tensionim të situatës

Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka bërë të ditur se nuk pritet të ketë tensione në betimin e kryetarit të ri në Mitrovicë të Veriut.

Pak para fillimi të ceremonisë së betimit, Shkëlzen Xhafa, shef i operativës rajonale në veri të Mitrovicës në një deklaratë para mediave tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në aspektin e sigurisë.

“…Policia e Kosovës në bazë të autorizimeve të tyre i ka marrë të gjitha masat në aspektin e sigurisë…Nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inaugurim…”, tha ai…

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se në komunat veriore deri tani ka pasur kryetar që nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të grupeve kriminale.

Ai tha se ndihet i lumtur ministër që më në fund do të ketë një kryetar që do të angazhohet në baza ditore për përmirësimin e jetës qytetare pa dallim etnie.

Ndryshe, sot Erden Atiq do të betohet si kryetar i Mitrovicës së veriut, i dalë nga zgjedhjet lokale të 23 prillit. /Telegrafi/