Drejtori Ekzekutiv i Telegrafit, Gentian Lluka, i ftuar në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk e sheh problem Inteligjencën Artificiale (AI) në median që ai menaxhon.
Lluka thotë se Inteligjenca Artificiale do të jetë vetëm një suport për punën e gazetarëve.
“Nuk e shoh ndonjë problem. Një pjesë të rritjes ndoshta e stopon, por për këta punëtorë që janë, AI do të jetë një asistent i jashtëzakonshëm. Ne kemi implementuar AI thellësisht në Telegraf prej tre muajsh, derisa u testua edhe më herët”.
Ai thotë se Inteligjenca Artificiale ndihmon Telegrafin në shumë drejtime.
“Na ndihmon në redaksi me tituj, informata, sugjerime, sondazhe etj. Pastaj edhe në aspektin e biznesit na ka ndihmuar për të zgjidhur problemet e klientit në kohë rekorde me rezultate të jashtëzakonshme”, deklaroi Lluka.
“Ne kemi implementuar edhe teknologjinë A/B test për titujt e lajmeve. Titulli është shumë i rëndësishëm në lexueshmërinë e lajmeve, sigurisht ai duhet të jetë përmbajtësor”, shtoi ai.
I pari i Telegrafit megjithatë thotë se njeriu nuk mund të zëvendësohet nga Inteligjenca Artificiale.
“Pra është vetëm ndihmesë sepse në fund duhet njeri”, ka deklaruar tutje Lluka./Telegrafi/