Telegrafi

CEO i Stellantis, Tavares: Vendimi për elektrifikimin e plotë është marrë nga politikanët dhe jo nga industria e automjeteve

CEO i Stellantis, Carlos Tavares, komentoi vendimin e BE-së për të ndaluar shitjen e veturave me motorë SUS.

Bashkimi Evropian ka vendosur të ndalojë shitjen e veturave të reja me motorë me djegie të brendshme deri në vitin 2035, por Tavares beson se detyrimi i prodhuesve të makinave për të kaluar në automjete plotësisht elektrike nuk është mënyra më efektive për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Ajo që është e qartë është se elektrifikimi është një teknologji e zgjedhur nga politikanët, jo nga industria”, tha ai në një intervistë të përbashkët me disa gazetarë.

“Duke marrë parasysh përzierjen aktuale të energjisë evropiane, makina elektrike duhet të udhëtojë 70 mijë kilometra për të ‘anuluar’ gjurmën e karbonit të prodhimit të baterive dhe kështu të barazohet me një makinë hibride ‘të lehtë’, e cila kushton gjysmën e çmimit”, shpjegon Tavares.

Megjithatë, duke ditur që motorët me djegie të brendshme nuk do të ekzistojnë përgjithmonë, Stellantis ka filluar të elektrizojë gamën e produkteve të saj.

Në një plan të shpallur vitin e kaluar, kompania tha se do të prezantonte 21 modele të reja hibride plug-in dhe plotësisht elektrike gjatë dy viteve të ardhshme. Është konfirmuar gjithashtu se Alfa Romeo do të jetë 100 për qind elektrike deri në vitin 2027, dhe Opel/Vauxhall deri në vitin 2028.

Gjatë intervistës, Tavares shtoi se detyrimi i prodhuesve të veturave për të transformuar planet e tyre dhe zinxhirët e furnizimit për t’iu përshtatur automjeteve elektrike “krijon rrezik social” dhe tha se ai do të përpiqet të shmangë mbylljen e ndonjë fabrike në Evropë, raporton Auto News. /Telegrafi/