Kampionët e Skocisë, Celtic, janë skuadra e parë britanike që fitoi një Kupë Evropiane në vitin e largët 1967.
Tashmë, klubi historik nga Glasgou rishkruan historinë e futbollit britanik, duke u bërë të parët që prezantojnë “tribunat e sigurta” në Mbretërinë e Bashkuar.
Bëhet fjalë për një zonë që ndodhet në pjesën veri-lindore të stadiumit “Celtic Park”, prej 2900 vende, nga mbi 60800 vende që është kapaciteti i të gjithë impiantit.
Pas instalimit disa-mujor, “Tribuna e sigurt” u prezantua gjatë fitores 2-1 në miqësoren me Wolsburgun, që ishte edhe ndeshja debutuese e trajnerit Bendan Rodgers në krye të ekipit nga Gllasgou.
Projekti revolucionar përbëhet nga një sistem ulësesh me pjesën mbështetëse që është më e gjatë se zakonisht dhe krijon një barrierë sigurie për tifozët që qëndrojnë në këmbë.
Klubi i Celtic e cilësoi këtë si “një hap rreth rizhvillimit të stadiumit”, ku tifozët këndojnë prej afro 130 vitesh në mbështetje të skuadrës, por edhe si “një ndërhyrje që shërben për sigurinë e spektatorëve të pranishëm në tribuna”.
“Tribunat e sigurta” të gjigantëve skocezë janë të ngjashme me ato që përdoren aktualisht në Bundesligën gjermane dhe u lejojnë tifozëve të shumtë të qëndrojnë përgjatë gjithë lojës në këmbë.
Celtic e implementoi projektin pasi kjo skuadër nuk preket nga ligji që pas tragjedisë në Hillsborough, sanksionoi se tifozët e skuadrave të dy ligave më të larta e kanë të ndaluar të qëndrojnë në këmbë gjatë ndeshjes.