Telegrafi

Celine Dion bën rikthimin madhështor duke performuar në hapje të Lojërave Olimpike 2024

Pasi Celine Dion u pa në Paris përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, pati spekulime se ajo mund të performonte për herë të parë që kur u diagnostikua në vitin 2022 me sindromën e personit të ngurtë, një sëmundje e rrallë neurologjike.

Pasi u ndez flaka olimpike, ajo këndoi “L’Hymne à l’amour”, një këngë e vitit 1950 e bërë e famshme nga ikona legjendare franceze Édith Piaf, siç ishte raportuar më parë nga gazeta franceze Le Parisien.

Këngëtarja kanadeze qëndronte në këmbët e Kullës Eifel, duke u dukur e shëndetshme dhe me një gamë të plotë lëvizjesh, teksa mbante një mikrofon në dorën e majtë dhe bënte gjeste me të djathtën.

Celine Dion në Lojërat Olimpike 2024 (Foto: Olympics/Instagram)

NBC nuk konfirmoi thashethemet se Dion do të performonte, e as presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u tha mediave se do të ishte “jashtëzakonisht i lumtur” që këngëtarja kanadeze të ishte pjesë e Olimpiadës 2024.

Për sëmundjen e saj, Dion i tha prezantueses së “Today” Hoda Kotb në qershor se ndonjëherë ndjehet “si dikush po të mbyt”.

“Është sikur dikush të shtyp në fyt. Kështu që ti flet ashtu dhe nuk mund të shkosh lart e poshtë. Të ngërthehet”, tha këngëtarja.

Njoftimi i saj i diagnozës erdhi një vit pasi ajo anuloi befas rezidencën e saj në Las Vegas, e ndjekur nga anulimi i datave të saj të turneut botëror Courage 2023 dhe 2024.

Dokumentari i Irene Taylor për këngëtaren “My Heart Will Go On”, i titulluar “I Am: Celine Dion”, u shfaq premierë në Prime Video më 25 qershor. /Telegrafi/

Celine Dion në Lojërat Olimpike 2024 (Foto: Olympics/Instagram)