I aderuari i ri në Lëvizjen Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, ka thënë se ai do të kontribuoj në këtë subjekt politikë në fushat që ka punuar më parë siç janë trashëgimia kulturore dhe turizmi.
Çeku, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se deri më tani turizmi nuk ka pasur vëmendjen e duhur të institucioneve të Kosovës.
Ish-zëvendësministri i Turizmit në Shqipëri ka thënë se përvojat e suksesshme nga atje do t’i bartë edhe në Kosovë, përcjell Telegrafi.
“Turizmi duhet të jetë i përqendruar në zonat rurale ku edhe banorët e zonës do të gjejnë prosperitet në vendin e tyre e jo të largohen nga aty. Ka praktika të mira edhe nga vendet e rajonit. Unë kam qenë zëvendësministër në Shqipëri në Ministrinë e Turizmit. Ka qenë një program interesant atje “100 fshatrat” si 100 destinacione turistike”, tha Çeku.
Ish-aktivisti i shoqërisë civile në Prizren, ka thënë se rasti i fundit me kalanë e Novobërdës është një lëshim i madh nga institucionet pasi që sipas tij shoqëria civile prej dhjetë vitesh po tërheqin vërejtjen “por është dashur të pritet që dikush me ekskavatorë të rrënojë muret e Kalasë për të kuptuar se diçka nuk është në rregull”.
Çeku thotë se Ministria e Kulturës ka dhënë leje për punime në atë loakacion pa ndonjë analizë pavarësisht se është ditur fakti se punimet i kryen një kompani serbe.
Ai ka thënë se programi për kulturë dhe trashëgimi e ka shtyrë për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
“Trashëgimia gjeneron turizëm e vende të reja të punës, e jo të shihet trashëgimia si barrë për buxhetin e shtetit”, tha mes tjerash Hajrullah Çeku./Telegrafi/