Telegrafi

Çeku: Kosova nuk ka çka t’i ofrojë NATO-s pa e formuar ushtrinë

Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinisë së Kosovës ka organizuar një tryezë diskutimi rreth integrimeve euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën deputeti Agim Çeku ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke theksuar se ky është një hap pozitiv për të mirën e tërë Ballkanit Perëndimor.

“Edhe Kosova synimet i ka të bindura në anëtarësimin në NATO dhe nuk ka ndonjë kundërshtar brenda Kosovës rreth kësaj çështjeje”, ka theksuar Çeku.

“Edhe NATO e din këtë synim të Kosovës mjaftë qartë. Por çështja që Kosova nuk është njohur nga katër shtete anëtare të NATO-s po e bënë që kjo organizatë të mos e njoh statusin e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe qëndron neutral ndaj shtetit tonë”, ka shtuar ish-ministri i FSK-së.

Prandaj sipas tij edhe nuk janë marrë hapa akoma konkret.

“Por edhe derisa nuk e kemi formuar ushtrinë ne nuk kemi çfarë t’i ofrojmë NATO-s. Andaj fillimisht duhet ta bëjmë ushtrinë”, ka pohuar Çeku.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO ai ka theksuar se vendit do t’i sillte edhe siguri ekonomike.

“Kur të është vendi anëtarë i NATO-s atëherë ka edhe siguri më të madhe dhe kjo siguri reflektohet edhe në zhvillimin ekonomik dhe stabilitet të bizneseve”, ka përfunduar Çeku. /Klan Kosova/