Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka pranuar se institucioni që ai udhëheq do të duhet të përshtat dhe modernizojë Fair Play Financiarin.
Dy ekipet italiane, Roma dhe Interi janë sanksionuar për prishje të sistemit financiar në të kaluarën, por efikasiteti i tij tani po merret në pyetje pasi Paris Saint-Germain ka bërë një marrëveshje prej 222 milionë euro për Neymar dhe një huazim për Kylian Mbappe, i cila përfshin një detyrim prej 180 milionë euro për blerjen përfundimtare.
Kjo ka bërë që Ceferin të pyetet rreth çështjeve financiare dhe ndryshimeve të mundshme, ku ka theksuar se janë duke shikuar mundësinë e rregullimit të sistemit dhe modernizimin e FPF-së.
“Është një nga momentet vendimtare”, ka thënë fillimisht Ceferin në një konferencë për media sot.
“Fair Play Financiar u krijua për të rritur stabilitetin në futboll dhe ishte e suksesshme. Por, kohët ndryshojnë”.
“Ne duhet ta rregullojmë atë dhe të modernizojmë dhe të bëjmë diçka për balancën e konkurrencës, sepse hendeku midis klubeve të vogla dhe klubeve të mëdha bëhet më i gjerë dhe më i gjerë”.
“Unë nuk mendoj se ne mund ta ndalojmë atë zhvillim, por ne mund ta ngadalësojmë atë. Dhe ne duhet të veprojmë tani”, përfundoi presidenti i UEFA-s. /Telegrafi/