Center for Entrepreneurship and Executive Development – CEED Kosova ka shënuar 10 vjetorin e themelimit, ku ka prezantuar të arriturat gjatë një dekade në raport me ndërmarrësit si dhe rrjetëzimin e tyre.
Drejtori ekzekutiv i CEED Kosova, Kreshnik Lleshi ka thënë se i kanë ndihmuar ndërmarrësit në shkëmbin të eksperiencave dhe praktikave më të mira në mes tyre.
Ai ka theksuar për Telegrafin se CEED Kosova ka pasur ndikim të madh në krijimin e rrjetit të ndërmarrësve.
“Në Kosovë pjesë e programeve tonë kanë qenë diku mbi 1 mijë ndërmarrës, e që në rrafshin ndërkombëtar janë më shumë se 20 mijë”, ka shtuar Lleshi.
Më tutje ai ka treguar se fokusi i CEED Kosova janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku ofrojnë sipas tij mundësinë e partneritetit, punë të cilën e bëjnë ata më se miri.
“CEED tash e 10 vite merret me zhvillimin e komunitetit të biznesit, duke i lidhë ndërmarrësit brenda dhe jashtë Kosovës, ku janë edhe programet për zhvillim të ndërmarrësve të rinj lokal, duke ofruar mundësinë e bashkëpunimit, të mësimit dhe shkëmbimit të përvojave”, ka thënë Lleshi.
Ai tha se në këto 10 vite të operimit të CEED Kosova dhe me punën e tyre me bizneset, këta të fundit sipas tij, kanë evoluar duke u rritur lokalist dhe jashtë Kosovës.
“Bashkërisht kemi evoluar, sepse jemi rritur bashkë. CEED ka të bëjë me ndërmarrësit dhe për ndërmarrësit. Mendoj se ndërmarrësit dhe menaxherët e tyre janë rrite me zhvillim të kapaciteteve të tyre, ku shkathtësitë e buta të tyre janë zhvilluar, e veçanërisht ka ndryshuar mënyra e të menduarit të të bërit biznes”, ka shtuar Lleshi.
Drejtori ekzekutiv i CEED Kosova ka thënë se ata do të bëjnë një trajnim që lidhet me jetëgjatësinë e biznesit dhe sfidat që i kanë ndërmarrësit me këtë cikël.
“Pastaj e kemi modelin e ri të biznesit që këtë vit do të implementohet, e ka të bëjë me ndarjen e njohurive të ndërmarrësve në mes vete”, ka theksuar Lleshi.
Ndryshe, Center for Entrepreneurship and Executive Development – CEED Kosova është themeluar ne vitin 2009 nga USAID dhe SEAF, dhe është pjesë e rrjetit ndërkombëtar që vepron në Evropën Juglindore, Azinë Juglindore dhe Afrikën e Veriut./Telegrafi/