Çdo e treta ekonomi familjare pranojnë remitenca, ndërkaq mërgimtarët nga Gjermania dërguan më së shumti para në Kosovë.
Kështu bëhet e ditur në një raport të organizatës GERMIN.
Në këtë raport thuhet se remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të lartë të të hyrave dytësore, kjo bazuar edhe në numrin e madh të mërgimtarëve të cilët jetojnë në shtete të ndryshme por që nuk kanë shkëputur kontaktet me vendin amë.
Po ashtu bëhet e ditur se viti 2021 shënon numrin më të lartë të remitencave që nga paslufta.
Në bazë të hulumtimit të organizatës Germin, e që publikuar në mars, çdo e treta ekonomi familjare pranojnë remitenca, e shumë familje janë të varura nga remitencat, duke e pasur si burim të vetëm të të ardhurave.
“Përkundër kontributit të madh të diasporës në forma të ndryshme të remitencave, qofshin ato individuale, kolektive apo donacione, diskutimi për këto kontribute mbetet i zbehtë dhe jo adekuat”, thuhet më tej.
“Në bazë të të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore, trajektorja e remitencave tregon një rritje të vazhdueshme ndër vite. Në vitin 2021 janë pranuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa në vitin 2011 ishin më pak se 500 milion euro”, thuhet në raportin e GERMIN.
Organizata GERMIN bën të ditur se pjesa më e madhe e remitencave vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia dhe Franca.
Dërgimi i parave është bërë kryesisht nga bankat, agjencitë për transfer të shpejtë të parave, aplikacionet mobile, si dhe forma tjera si: dërgesa përmes familjarëve, miqve apo gjatë udhëtimit në Kosovë.
Raportin e plotë të organizatës GERMIN mund ta gjeni duke klikuar KËTU. /Telegrafi/