Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Gjirokastrës mëngjesin e së mërkurës, detaje të reja kanë dalë në dritë.
Autori i vrasjes së dyfishtë, Apostol Kosta ka shfaqur ngarkesë të fortë psikologjike pasi ekzekutoi dy kushërinjtë e tij, burrë e grua.
Nën presionin dhe të bërtiturat e familjarëve të tij për krimin e kryer, 70-vjeçari Kosta ka tentuar të vrasë veten.
“Çfarë bëre kështu?! Çfarë ishte kjo që u bëre atyre?!”, është dëgjuar të ulërasë bashkëshortja e tij.
Po kështu edhe i biri 45-vjeçar, Roland Kosta e ka qortuar me tone të larta të atin, sapo ka hyrë në oborrin e banesës.
“Po çfarë bëre kështu more baba, për një mur i vrave?! Çfarë ke bërë kështu?”.
Nën ndikimin e fortë të reagimit të familjarëve të tij, Apostol Kosta ka hequr siguresën e automatikut dhe tytën e drejtoi nga vetja e tij në drejtim të nofullës.
Në atë çast ka ndërhyrë i biri, por qitja ka qenë më e shpejtë se reagimi i tij, duke bërë që plumbi të depërtojë nga pjesa e poshtme e mjekrës, dhe doli në pjesën e majtë rreth 3 cm mbi syrin.
Mësohet se në momentin kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, 70-vjeçari Apostol Kosta ka qenë pa ndjenja.
Në spital ai ka marrë ndërhyrjen e parë nga mjekët kirurgë. Pasi ka rimarrë veten disi, ai mësohet se ka shfaqur pendesë në spital dhe më vështirësi ka arritur të artikulojë vetëm fjalët se “Çfarë bëra kështu unë…!”, shkruan “panorama”.
Trupat e viktimave kanë qëndruar katër orë në vendin e ngjarjes për shkak të problematikës që shfaqte granata e pashpërthyer. Grupi hetimor kërkoi specialistë nga RENEA për ta demontuar.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, specialistët e ardhur nga Tirana kanë arritur të demontonin granatën defensive që lëshoi në fillim Apostol Kosta, e cila nuk shpërtheu.