Casemiro ka vazhduar traditën e Real Madridit, ku pas çdo triumfi dikush nga futbollistët rruan kokën zero.
Real Madrid fitoi finalen e Ligës së Kampionëve në Cardiff, pasi mposhti Juventusin me rezultat të thellë 4-1, ku vendimtar u tregua edhe Casemiro që shënoi golin e epërsisë 2-1.
Megjithatë, mesfushori brazilian nuk ka pasur kohë vetëm për komplimente, por ka mbajtur premtimin, dhe ashtu si përpara tij që i ndodhi Keylor Navasit për triumfin në kampionat, i ka qethur flokët zero në dhomat e zhveshjes të Millenium Stadium të Cardiffit.
Si gjithnjë në krye të detyrës me makinën e rrojës në dorë ishte braziliani Marcelo, duke kryer detyrën e berberit.
“E kam rruar kokën sepse kisha premtuar këtë nëse do të fitonim një tjetër Ligë të Kampionëve. Ne e meritonim këtë”, ka deklaruar Casemiro pas ndeshjes.
“Kjo familje që kemi krijuar në këtë skuadër meriton gjithçka për të gjithë punën e bërë gjatë sezonit. Ne kemi një familje në këtë skuadër. Jemi të gjithë aq shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kjo tregohet edhe në mënyrën se si luajmë”.
“Në pjesën e dytë ishim superior dhe luajtëm ashtu siç stërvitem çdo ditë për të luajtur”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/
https://twitter.com/BrazilStat/status/871263700342247424