Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk është përmbajtur duke reaguar me zemërim dhe fyerje ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës si dhe Rada Trajkoviqin këshilltare të tij.
Vuçiqi, duke folur në televizionin pro qeveritar serb “TV PINK”, nuk ka hezituar t’i fyejë Rshiqin, Trajkoviqin, kurse reagimin e BE-së lidhur me këto emërime e ka quajtur të turpshëm.
“Zgjedhja e Rashiqit, njeriut që fitoi më pak se 1 për qind, si dhe Rada Trajkoviqit, e cila ishte në listën e tij, tregon se ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë. Dhe tani kam disa gjëra për të thënë, para fjalimit zyrtar dhe takimit me Varhelyi [Komisioneri Evropian për Zgjerim] , nëse ndonjëherë vie deri te kjo”, tha ai.
Siç shkruan portali “Nova”, Vuçiq ka thënë se “bëhet fjalë për një qëndrim anti serb të treguar nga BE-ja dhe se ajo që ka bërë Albin Kurti (të cilin e quajti llum terrorist) meriton dënim”.
“Unë kam heshtur për muaj e vite, duke vuajtur marrëzi nga të gjithë në rajon dhe në botë. Ajo ‘llum terrorist’ duhet të kishte marrë dënimin e merituar të Bashkimit Evropian. Sigurisht që nuk e mori. Ai mori diçka që ndoshta askush nuk mund ta kuptojë. Dhe kështu sillen vazhdimisht, jo vetëm kanë shkelur normat e Marrëveshjes së Brukselit, të drejtën ndërkombëtare publike dhe të gjitha normat demokratike”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Vuçiq theksoi se kjo është në përputhje me interesat e një fuqie evropiane, të cilën dikush duhet ta zbatojë kundër serbëve.
Ai tha se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor për shkak të, siç tha ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës.
“Ata zgjodhën llumin më të keq serb, nga fundi i fuqisë [kasës], Rashiqin dhe Rada Trajkoviqin, nuk ka më të këqij, që nuk kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe agjencive perëndimore. Ata mendojnë se do të na trembin. Nuk ka problem. Ju mund të shkatërroni presidentin e Serbisë, të organizoni protesta në Serbi, të më vrisni mua. Por për mua ‘Kosova dhe Metohia’ është shenjtëria më e madhe serbe, për mua Serbia është e shenjtë. Është më mirë të mos jem, se sa t’jua dorëzoj dhe nuk do t’jua dorëzoj. Dhe prandaj askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ju vini bukur, udhëtoni me avion, flisni marrëzi, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, tha ai.
Veç kësaj, Vuçiq tha se und të flasin se Serbia është fajtore, por se kjo nuk i intereson dhe se “Serbia nuk është fajtore për asgjë”.
“Pra, le të shohim se çfarë do të bëni dhe si do ta bëni. Pastaj herën tjetër kut t’i drejtoheni Serbisë, kujdesuni për atë që u miratua në Bruksel, kujdesuni për qytetarët e Serbisë, pasi ata nuk janë vrima e nëntë në fyellin e askujt dhe nuk do t’ju lejoj t’i poshtëroni ata. Serbia është më vete. Ne kemi probleme në sektorin e energjisë, të cilat do t’u tregoj qytetarëve të shtunën”, tha Vuçiq.
“Kurse llumit terrorist, më lejoni t’iu them – kujdesuni të mos lëndoni asnjë serb, bashkë me këta kuislingë që keni zgjedhur. Sepse serbët do të dinë si t’ju përgjigjen. Dhe ju nga Evropa, turp të keni, dhe kjo është një gjë e vogël në krahasim me atë që dua t’ju them”, përfundoi presidenti.
Më 6 dhjetor mbahet samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Evropian thuhet se samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së. /Telegrafi/