Këngëtarja e popullarizuar, Carrie Underwood, i ka bashkuar forcat me Chris DeStefano, Brett James dhe Ludacris, për realizimin e këngës “The Champion”.
Versioni audio i këngës tashmë është publikuar, ndërsa ka marrë kryesisht komente pozitive nga publiku. Videoja muzikore e kësaj kënge do të hapë Super Bowlin më 4 shkurt.
Videoklipi i “The Champion” është xhiruar në vitin e kaluar, para se 34-vjeçarja të pësonte aksident komunikacioni, me ç’rast pati deri në 40 sutura në fytyrë.
Carrie ka thënë se kur e kanë shkruar këngën, qëllimi kryesor ka qenë që t’i madhërojnë sportistët dhe njëherësh që të jenë të afërt me njerëzit e zakonshëm.
Ajo ka thënë se shpreson që teksti t’i frymëzojë njerëzit që t’i shtyjnë kufijtë e tyre në gjithçka që duan të arrijnë.
Ndërsa Ludacris, nga ana e tij, është shprehur se ka qenë kënaqësi për të që të bashkëpunonte me Underwood në këtë këngë frymëzuese.
Vlen të theksohet se ylli i edicionit të sivjetmë të Super Bowl do të jetë Justin Timberlake, i cili kthehet në këtë eveniment pas 14 vitesh (që nga koha e incidentit të Janet Jackson me rrobat).
Manifestimi më i madh sportiv amerikan do të mbahet më 4 shkurt në Bank Stadium të Minneapolisit. /Telegrafi/