Jim Carrey do të gjykohet për vdekjen e ish-të dashurës së tij, pasi është akuzuar se e ka furnizuar me barnat që ia morën jetën.
Një gjykatëse në Gjykatën Supreme të Los Angelesit ka thënë se do ta shqyrtojë rastin që ia ka dërguar nëna e të ndjerës Cathriona White dhe ish-burri i saj.
Ata e kanë paditur aktorin 55 vjeçar se ia ka siguruar barnat artistes irlandeze të makijazhit, e cila vdiq në moshë 30 vjeçare.
Nga ana tjetër, avokati i Carreyt, Raymond Boucher, ka nisur një mocion për ta hedhur poshtë rastin.
“Z. Carrey e ka dashur shumë zonjushën White dhe ky do të jetë një proces shumë i dhimbshëm për të”, ka thënë avokati i aktorit pas seancës dëgjimore.
Nëna e Cathrionas, Brigid Sweetman, ka theksuar se ylli hollivudian ia ka siguruar barnat Ambien (sedativ – qetësues për personat që kanë probleme me pagjumësi), Propranolol (kundër shtypjes së lartë të gjakut) dhe Percocet (analgjetik – kundër dhimbjes), me të cilat ajo ishte mbidozuar.
Aktori i “Dumb And Dumber” i ka hedhur poshtë këto akuza, të cilat i konsideron “keqdashëse” dhe “lakmitare”.
Cathriona White vdiq si pasojë e dozës së madhe të barnave që mjeku ia kishte shkruar pikërisht aktorit, ndërkohë që i ka kombinuar edhe me një numër të madh tabletash të tjera.
Stilistja nga Irlanda është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Los Angeles më 28 shtator të vitit 2015. Asokohe ishte zbuluar se vetëm disa orë para vdekjes kishte marrë një mesazh nga aktori, i cili e pyeste se ku i ka barnat.
Disa ditë para vetëvrasjes së saj, Carrey dhe Cathriona ishin ndarë. Në raport thuhet se pak para vdekjes, ajo u kishte thënë miqve se është shumë e dashuruar në komikun e famshëm dhe se lidhja e tyre është ‘e stuhishme’. Spekulohet se ka qenë në depresion për shkak të problemeve në dashuri, sepse identitetin e saj e lidhte ngushtë me Carreyn.
Trupi i pajetë i Cathrionas ishte gjetur në krevatin e saj. Kishte veshur bluzë të kuqe dhe të brendshme të zeza, ndërsa ishte e rrethuar prej tabletave. Në dorë mbante telefonin celular. Është gjetur edhe mesazhi lamtumirës dhe një letër e gjatë kushtuar Jim Carreyt. /Telegrafi/