Ish-mbrojtësi anglez i Liverpoolit, Jamie Carragher mendon se legjenda e Chelseat, John Terry, është qendërmbrojtësi më i mirë në historinë e Ligës Premier.
Karriera e Terryt në Stamford Bridge zgjati për 19 vjet dhe ai fitoi pesë tituj të Ligës Premier si kapiten i klubit.
Ish-legjenda e Liverpoolit, Carragher luajti kundër Terryt dhe përkrah tij me Anglinë dhe sipas tij ai nuk krahasohet me asnjë mbrojtës.
“Për mua Terry ishte qendërmbrojtësi më i mirë i epokës së Ligës Premier. Ai ishte lloji im i lojtarit. Ai ishte në thelb një version më i mirë se unë për të qenë i sinqertë”, ka thënë fillimisht Carragher për talkSport.
“Unë mendoj se aftësia e tij e futbollit është nënvlerësuar në masë të madhe. Ai ishte një lojtar i shkëlqyeshëm”.
“Kur po kaloja në listën time nuk kisha një lojtar anglez dhe doja të fusja dikë atje dhe mendova se do të shkoja për Terry pasi nuk mund ta fusja Stevie Gerrard!”.
“Ai mund ta ndërronte topin 40/50 metra me këmbën e tij të majtë. Gjithmonë e ndieja se ishte Terry ai që ishte mbrojtës dhe Rio Ferdinand ishte futbollisti, por Rio ishte një mbrojtës shumë më i mirë sesa i ishte dhënë dhe mendoj se Terry ishte një futbollist shumë më i mirë se sa iu dha merita”, përfundoi anglezi.
Përveç pesë titujve të Ligës Premier, Terry fitoi pesë herë Kupën FA, tre herë Kupën e Ligës, si dhe Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës nga një herë.
Ndërsa Terry vlerësohet si një nga më të mirët e futbollit anglez, vlerësimi nuk duket se shtrihet jashtë vendit.
Mbi 130 mijë vota u hodhën në sondazh ndërsa lexuesve të gazetës Marca iu kërkua që të zgjidhnin qendërmbrojtësin më të mirë ndonjëherë nga nëntë kandidatë.
Sergio Ramos ‘shkatërroi garën’ për të dalë në krye me një shifër marramendëse prej 74 për qind të votave, 56 për qind më shumë se Franz Beckenbauer i dyti. /Telegrafi/