Telegrafi

Carragher këshillon Manchester Unitedin të shesë Ronaldon

Jamie Carragher i ka thënë Manchester Unitedit që të shesë Cristiano Ronaldon për të shmangur një “gabim më të madh”.

Ronaldo bëri rikthimin e tij të shumëpritur në Old Trafford nga Juventusi në afatin e verës së kaluar, me Unitedin që shpenzoi 20 milionë funte për të ri-nënshkruar sulmuesin portugez.

Gjatë periudhës së tij të parë te Unitedi midis 2003 dhe 2009, Ronaldo u bë një legjendë e klubit duke shënuar 118 gola dhe duke fituar tre tituj të Ligës Premier dhe një të Ligës së Kampionëve, por rikthimi i tij në shtëpi ka qenë disi zhgënjyes.

Lexo po ashtu Thellohet kriza dhe ndarjet te Man Utd, Maguire dhe Ronaldo në ‘luftë’ për shiritin e kapitenit – Rangnick mbanë anë

Unitedi përfundoi i dyti në Ligën Premier sezonin e kaluar, por aktualisht është në vendin e pestë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick, dhe gjithashtu ka pësuar eliminime të hershme nga Carabao Cup dhe FA Cup.

Ronaldo u kritikua për gjestet e tij gjatë thatësirës prej gjashtë ndeshjeve pa gol përpara se të rikthehej te goli ​​në mënyrë spektakolare, ndërsa Djajtë e Kuq mposhtën Brighton 2-0 të martën.

Carragher mendon se cirku mediatik që ndjek 37-vjeçarin pas çdo paraqitjeje po pengon zhvillimin e përgjithshëm të skuadrës.

Lexo po ashtu Ronaldo shqetësohet nëse do të largohet nga Man Utd në verë

“Kontributi i paçmuar i Cristiano Ronaldos në fitoren e Manchester Unitedit në Ligën Premier ndaj Brighton ishte një tjetër kujtim i oreksit të tij të pashembullt për gola”, ka thënë fillimisht Carragher për The Telegraph.

“Por, kjo nuk e ndryshon këtë realitet: United bëri një gabim duke ri-nënshkruar me Ronaldon verën e kaluar. Do të jetë më i madh nëse e mban atë sezonin e ardhshëm”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/