Komuniteti ndërkombëtar e sheh kryesisht palën kosovare përgjegjëse për tensionet e krijuara në veriun e Kosovës.
Madje, insistimi i kryeministrit Albin Kurti, që kryetarët e rinj shqiptarë t’i ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale, e kanë shtyrë BE-në dhe SHBA-në t’i vënë masa ndëshkuese qeverisë që ai e udhëheq.
Por, Brukseli dhe Uashingtoni nuk kanë vepruar njësoj edhe me Serbinë. Kjo e fundit vetëm u qortua për tensionet në pjesën veriore të Kosovës.
E, për këtë situatë e ka një shpjegim, profesori nga Oxford University, Richard Caplan.
“Masat e BE-së dhe SHBA-së mund të duken të pabalancuara. Nuk ka dyshim se ato janë më ndëshkuese për Kosovën sesa për Serbinë, por është e rëndësishme të vlerësohet se BE-ja dhe SHBA-ja nuk e kanë veçuar Prishtinën si përgjegjëse të vetme për krizën aktuale. Beogradi gjithashtu është kritikuar për nxitjen e tensioneve. Megjithatë, nëse Prishtina po trajtohet më ashpër, kjo është pjesërisht për shkak se mendohet se ajo mban çelësat e de-përshkallëzimit të tensioneve në veri”, vlerësoi Caplan, për tëvë1.
Caplan e sheh edhe një rrezik tjetër që mund t’i vijë Kosovës si pasojë e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Nëse dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pabalancuar është një çështje shumë më e madhe. Megjithatë fokusi ka qenë në refuzimin e Kurtit për të rënë dakord për zbatimin e dispozitës së Marrëveshjes së Brukselit në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë, është e rëndësishme të kihet parasysh se ekzistojnë disa dispozita të marrëveshjes të cilat Serbia, nga ana e saj, nuk i ka zbatuar. Për më tepër, përderisa Serbia vazhdon të mbështesë strukturat paralele në Kosovë, ekziston rreziku që Asociacioni të bëhet një instrument tjetër i ndikimit të tepruar të Beogradit në Kosovë”, tha Caplan.
Së fundmi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur edhe njëherë kërkesat për de-përshkallëzimin e plotë të situatës në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.