Ylli i njohur i UFC-së, Ilir Latifi, ka arritur në Tiranë në kuadër të një turneu promovues të MMA (arteve të përziera marciale).
Sportisti shqiptar me famë botërore, i cili ka qenë kampion në kategorinë e peshave të rënda në Suedi dhe është aplikues profesionist i arteve të përziera marciale që nga viti 2008, ka ardhur për herë të parë në Shqipëri.
Ndërsa për ta takuar atë ka shkuar reperi nga Kosova, Trim Ademi, i njohur me emrin artistik Capital T.
Ai e ka publikuar një fotografi të përbashkët me Latifin duke i njoftuar fansat se e kanë mundësinë që ta takojnë të dielën në Tiranë.
“Momente argëtimi me vëllanë tim, Ilir Latifi. Takojeni nesër (e diel) në Tiranë, sheshi ‘Nëna Terezë’, 11:00 – 13:00”, ka shkruar reperi në Instagram.
Një fotografi të dyshes e ka publikuar edhe Iliri në profilin e tij në Instagram, ndërsa të dyja imazhet kanë marrë dhjetëra mijëra pëlqime nga fansat.
Njëri prej emrave më të njohur të MMA, Ilir Latifi, ka lindur në Malmo të Suedisë, por është me orgjinë nga Kosova. /Telegrafi/