Reperi i popullarizuar i skenës shqiptare, Trim Ademi i njohur me emrin artistik Capital T, me datën 19 shtator do të mbajë një koncert madhështor në Tiranë, i cili do këndojë vetëm reportorin e tij.
“Time Capsule” mban titullin koncerti i reperit shqiptar, skena e të cilit ka disa kënde të ndryshme, e më pas me pije, parking e deri te sigurimi i lartë. Artisti, i cili ka kënduar qysh nga mosha 13-vjeçare, do të performojë me mbi 20 këngë, derisa me të në skenë do të ngjiten edhe këngëtarë të tjerë me të cilët ka sjellë bashkëpunime.
Gjatë ditës së sotme (e premte), i njëjti ka mbajtur një konferencë për media, gjersa zbulon detaje më të hollësishme për këtë projekt.
28-vjeçari thotë se ky vit ishte momenti i duhur për të realizuar një koncert të tillë, marrë parasysh eksperiencat e shumta në karrierën e tij.
“Ka qenë momenti i duhur për vitin 2019 pas një eksperience të madhe, pas shumë koncerteve që kam mbajtur edhe në industrinë e muzikës ishte momenti për të ardhur me diçka të tillë dhe për momentin jam duke u fokusuar vetëm te ky koncert jo vetëm për mua por edhe për të gjithë industrinë e muzikës është si demo, do jetë pikë referente për të gjitha eventet e tjera”, ka thënë ai.
I pyetur se a do ketë koncerte edhe në Prishtinë e vende të tjera, Kapo vazhdon më tej, “Fokusi është në Tiranë, pas kësaj me gjithë ekipën do e çojmë nga një pije dhe do vazhdojmë me të tjera”.
Rreth këtij koncerti po ashtu kanë folur edhe organizatorët e projektit, e që menaxherja Uarda Koçi ka dhënë më shumë detaje për interesimin e njerëzve dhe shitjen e biletave.
“Interesimi i njerëzve ka qenë i lartë sepse projekti ishte i tillë. Koncerti është përthithur menjëherë nga njerëzit, nga publiku nga fansat e Capitalit. Koncertet në shesh kanë hapësira të mëdha dhe ne pa qëllim nuk e kemi zgjedhur sheshin “Nëna Terezë” sepse e dimë që fansat e Kapos janë shumë. Ky koncert është më i rëndësishëm se sa biletat që janë shitur ne e dimë që Capitali ka fansa të shumtë. Më shumë të fokusohemi në Time Capsule, në fund të ditës të gjitha do i shohim në shesh”, ka thënë ndër të tjerash ajo. /Telegrafi/