Trajneri i njohur italian, Fabio Capello beson se teknologjia VAR mund të përmirësohet duke vënë një trajner pranë zyrtarëve në kabinë.
Teknologjia e re u prezantua në Serie A nga ky sezon dhe ka dhënë rezultate të përziera.
Kjo pasi shumë trajnerë u ankuan se ka mungesë konsekuence në mënyrën se si trajtohen incidentet.
Ndërsa, disa të tjerë mendojnë se me VAR-in gjithçka është në rregull dhe të gjitha gjërat e fushës po vihen në pah.
Por, Capello mendon se pjesë e zyrtarëve që mbikëqyrin teknologjinë duhet të jetë edhe një trajner në mënyrë që vendimi të jetë më legjitim.
“Me qëllim të përmirësimit të përdorimit të kësaj teknologjie, unë do të vendosja një trajner pranë zyrtarëve të VAR në kabinë, kështu që ka një pamje më të plotë”, ka thënë fillimisht Capello për gazetën Tuttosport.
“Gjyqtarët janë një botë e ndarë dhe unë mendoj se duke vënë një trajner me përvojë në krahut pranë tyre, VAR-i do të krijojë më shumë progres”, përfundoi trajneri i njohur italian.
Ndryshe, në Serie A edhe përkundër vendosjes së teknologjisë ka pasur shumë polemika për vendimet e gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar për favorizime për skuadra të caktuara. /Telegrafi/