Telegrafi

Cannavaro me lëvdata për De Ligt, por nuk e konsideron Juven favorit ndaj Villarrealit

(Foto: Twitter/JuventusFC/Instagram)

Ish-mbrojtësi i Juventusit, Fabio Cannavaro, nuk është i sigurt nëse Bianconerët janë favoritë ndaj Villarrealit në sfidën e sotme (e martë).

Zonja e Vjetër zhvillon sfidën e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve si mysafir i Nëndetëses së Verdhë në Estadio de la Ceramica.

Matthijs de Ligt do të jetë qendërmbrojtësi i vetëm në fushë, duke qenë se Leonardo Bonucci nuk është në gjendje të luajë nga minuta e parë, derisa Giorgio Chiellini dhe Daniele Rugani janë të lënduar.

Për këtë arsye, partner i 22-vjeçarit në qendër të mbrojtjes pritet të jetë Danilo. Cannavaro e ka lëvduar holandezin para ndeshjes.

(Foto: Instagram/mdeligt_)

“Ai di si të mbrohet në gjerësi, nuk ka frikë nga asgjë dhe është përmirësuar shumë së fundmi. Liga jonë (Serie A) është taktike dhe shumë e vështirë. Madje edhe lëvizjet në fushë ndryshojnë, është gjithçka ndryshe”, ka deklaruar Cannavaro për La Gazzetta dello Sport.

Në dy sezonet e fundit, Juve është eliminuar në këtë fazë, ndërsa edhe pse nuk ka pësuar humbje qe 12 ndeshje në Serie A, kampioni i botës nuk e konsideron favorit në takimin ndaj ekipit spanjoll.

“Kush mund ta thotë këtë? Klubi spanjoll është mësuar të fitojë në Evropë, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Çuditërisht, Juventusi ka gjithçka për të humbur, megjithëse jam i bindur se Bianconerët kanë gjithçka u nevojitet për t’u kualifikuar”, ka thënë tutje Cannavaro. /Telegrafi/