Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka premtuar se kuqezinjtë do të kenë mbrojtje të mirë në takimin e parë të Euro 2016 ndaj Zvicrës.
Cana për TopChannel ka thënë se është në gjendje të mirë dhe pas dy ditësh do të jetë gati për ndeshjen e parë në Euro 2016.
“Kemi punuar prej 2-3 javësh dhe është shumë e rëndësishme që të jemi në formë të mirë kur të fillojë kompeticioni”, u shpreh ai.
Por në dy ndeshjet e fundit problemi më i madh ka qenë mbrojtja dhe Cana tregon për përgatitjet e fundit.
“Ato që na është dashur t’i përmirësojmë kanë qenë gjëra të vogla. E rëndësishme është që nga pikëpamja e lojës, ndeshja me Ukrainën ka qenë ajo e duhura dhe kjo është e rëndësishme. Janë disa gjëra taktike që duhet t’i mbyllim ditët e fundit dhe besoj që do të jemi gati”, u shpreh kapiteni.
Kuqezinjtë janë pjesë e Grupit A bashkë me Zvicrën, Rumaninë dhe nikoqirin Francën.