Site icon Telegrafi

Cana, futbollisti me tri pasaporta

“Nëse do të doja të shkruaja një skenar, nuk mund ta bëja më mirë”, thotë kapiteni i Kombëtares Shqiptare në futboll, që udhëhoqi Shqipërinë drejt Euro 2016, kampionatit të parë ndërkombëtar.

“Qëllimi im ishte të luaja gjithmonë për Shqipërinë”, deklaron mbrojtësi 32-vjeçar në një intervistë për agjencinë prestigjioze AFP, transmeton koha.net.

“Edhe më speciale është që kjo do të ndodhë në Francë, shteti ku u rrita me futbollin, ku jeton familja ime”, vlerëson lojtari me prejardhje nga Gjakova, që ka jetuar në Francë nga mosha 17-vjeçare.

Cana ka tri pasaporta: shqiptare, zvicerane dhe franceze. “Megjithatë, ai është krenar për identitetin e tij, dhe kurrë s’ka pasur dyshime se për kë të luajë”, shkruan AFP. “Kam pasur shansin të rritem me një familje patriotike që i kishte dhënë shumë rëndësi ruajtjes së gjuhës dhe kulturës”, thotë Cana.

Cana është një nga shumë kosovarët në kombëtare, që u largua nga Prishtina në vitet 90’ pas problemeve politike në Jugosllavi.

AFP thekson se Kuqezinjtë kanë më shumë lojtarë që janë fëmijë të imigrantëve në Zvicër, Gjermani e Austri, sesa lojtarë që jetojnë në Ballkan, dhe kjo sipas Canës është “simbol i krenarisë kombëtare”.

“Ai është më shumë se një lojtar, ai është zemra e ekipit, bosi i skuadrës në zhveshtore”, ka thënë Gianni de Biasi, përzgjedhësi i kombëtares. “Ai më ndihmon që të përcjelli te lojtarët filozofinë dhe vizionin tim”.

Cana ka luajtur në disa shtete. Suksesin më të madh e pati me PSG-në si adoleshent, para se të kalonte te Marseille. Pastaj lojtari kaloi te Sunderlandi në Angli, para se t’i bashkohej Galatasarayt në Turqi. Katër vjet ka kaluar në Lazio dhe tani është kthyer në Francë te Nantes.

Cana mund të pajiset edhe me pasportën e Kosovës, pasi ka lindur në Prishtinë.

Exit mobile version