Site icon Telegrafi

Calhanoglu shpjegon pse la Milanin për Interin: Fituan titullin dhe luanin në Ligën e Kampionëve

Mesfushori i Interit, Hakan Calhanoglu, shpjegoi se ai ‘dëshironte një sfidë të re’ dhe zbuloi se si Nerazzurrët e bindën atë me projektin që kishin, pasi kishin fituar Scudetton dhe do të luanin në Ligën e Kampionëve.

Reprezentuesi turk u largua nga Milani gjatë verës dhe vendosi t’i bashkohet rivalit të përhershëm Interit kur i skadoi kontrata.

Ai shpjegoi se është ‘i vetëdijshëm’ se zgjedhja për të lëvizur brenda qytetit ishte ‘e veçantë’, por theksoi se duhej ‘të shikonte përpara’.

Calhanoglu shënoi së fundmi një penallti në barazimin 1-1 me kuqezinjtë, në derbin e parë të sezonit “Della Madonnina”.

“Kam kaluar sezone pozitive në Milan. Unë kam ende shumë miq aty”.

“Vendosa të shkoj në Inter sepse doja një sfidë të re në karrierën time. Ata janë një klub i madh, ata fituan kampionatin sezonin e kaluar dhe luajnë në Ligën e Kampionëve”.

“Jam i vetëdijshëm se kam bërë një zgjedhje të veçantë. Por kjo është jeta. Duhet të ecni përpara dhe jo të ecni prapa. E dija që Interi ka qenë gjithmonë një skuadër e madhe, ata shpesh mundnin Milanin në derbi”, deklaroi Calhanoglu për 433.

Calhanoglu, ka luajtur 65 herë për Turqinë, ndërsa këtë vit është paraqitur në 12 ndeshje me Interin, duke shënuar dy herë në Serie A deri më tani.

Milani aktualisht është i pari në ligë, shtatë pikë më shumë se Interi. /Telegrafi/

Exit mobile version