Gennaro Gattuso ka konfirmuar se Mattia Caldara nuk do të luajë për Milanin në dy muajt e ardhshëm.
Rossonerët e mposhtën Sampdorian me rezultat 3-2, mirëpo krahas fitores, trajneri pati edhe lajme të këqija.
“Do ta humbim Caldaran për dy muaj. Ai ka pasur një problem me ligamentin medial, është një sezon i mallkuar për të, shumë zhgënjyes për lojtarin”, ka thënë Gattuso për Sky Sport Italia.
Qendërmbrojtësi i Rossonerëve pritej të kthehej nga një tjetër lëndim, mirëpo u detyrua t’i braktiste stërvitjet për lëndimin e ri.
Problemet e Milanit nuk përfundojnë me kaq, pasi edhe Giacomo Bonaventura e Hakan Calhanoglu kanë probleme me dëmtime.
“Jack Bonaventura po i shtrëngon dhëmbët, sepse ka një ndezje në gju dhe dje (e shtunë) nuk ka mundur të stërvitet. Tash duhet ta vlerësojmë Hakan Calhanoglun, i cili po mundohet shumë”.
“Është një periudhë e keqe, duhet t’i shfrytëzojmë lojtarët që janë në formën më të mirë”, ka deklaruar Gattuso.
Edhe Davide Calabria u nxor nga fusha në ndeshjen ndaj Sampdorias për shkak të lëndimit të nyjës. /Telegrafi/