Site icon Telegrafi

Shkarkimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, caktohet vendi për mbledhjen e nënshkrimeve

Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka vendosur sot t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit inicues të qytetarëve për peticionin në lidhje me shkarkimin e kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq, i cili ka kërkuar që mbledhja e nënshkrimeve të zhvillohet në objektin e palestrës sportive në veri të Mitrovicës.

Kështu, qytetarët e kësaj Komune do të kenë mundësi që deri më 22 janar, përkatësisht 6 shkurt, të mbledhin gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime, sa është e nevojshme, për të shkarkuar kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore.

Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, ka bërë të ditur për KosovaPress se disa këshilltarë të këtij Kuvendi janë takuar sot dhe kanë dhënë pëlqimin që hapësira publike për mbledhjen e peticionit të jetë palestra sportive.

Sipas tij, udhëzimi administrativ parasheh lehtësim për grupin inicues, që në rast të mos arritjes së numrit të nevojshëm të nënshkrimeve, afati të shtyhet edhe për 15 ditë tjera.

“Kemi vendosur si Kuvend Komunal me dhënë hapësirën publike ku e kanë kërkuar, e ajo është palestra e sporteve në pjesën veriore, për mbledhjen e peticionit për shkarkimin e kryetarit… Sipas afatit, ata janë të obliguar deri më 22 janar të sjellin peticionin tek kryesuesi i Kuvendit Komunal, i cili detyrohet sipas udhëzimit administrativ ta dërgojë në komisionin zgjedhor.

Por, udhëzimi administrativ pasrashikon edhe një lehtësim për grupin inicues, që në rast të ndonjë telasheje, mund të kërkojnë afat shtesë edhe 15 ditë… Nga komisioni zgjedhor kemi marrë numrin e 20 për qindshit i cili është 3 mijë e 640 nënshkrime”, ka thënë Uglanin.

Ndryshe, serbët e veriut të vendit pasi bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, me ç’rast për kryetarë të komunave u zgjodhën shqiptarët, ndryshuan qëndrimin dhe në tetor të këtij viti vendosën të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës./kp/

Exit mobile version