Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, zyrtarisht ka filluar sot në Kosovë.
Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli ka folur për shkurtimin e mundshëm të kësaj fushate zgjedhore.
Cakolli në RTV Dukagjini ka thënë se është në vullnetin e subjekteve politike që të shkurtojnë fushatën elektorale, por sipas tij kjo gjë do të dëmtojë disa parti.
Ai thotë se partitë që shkurtojnë fushatën do të jenë në disavatazh në raport me subjektet tjera që mbajnë fushatë, pasi sipas tij në disa raste fushata është përcaktuese.
“Përkundër që subjektet politike mund të kenë vullnet të mirë për të mos dëmtuar shëndetin e qytetarëve me shkurtim të njëanshëm të fushatës, janë dy probleme që ekzistojnë në këtë drejtim: Pos kandidatëve për kryetarë të komunës, janë edhe rreth 5 mijë kandidatë për asamble që garojnë në zgjedhje dhe që të njëjtit e kanë të vështirë për pesë ditë të shpalosin programet e tyre. Së dyti, Shkurtimi i fushatës në mënyrë të njëanshme mund t’i vendos subjektet në disavantazh. Pasi nuk ka një dakordim të plotë të subjekteve për shkurtim të fushatës. Pra një parti që nuk ka pranuar shkurtim të fushatës bënë aktivitete në 30 ditë, derisa subjektet tjera e kanë këtë mundësi të kufizuar në vetëm 5 ditë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Cakolli thotë se këto subjekte që shkurtojnë fushatën janë qysh në fillim në disavantazh e që sipas tij mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhje.
“Në zgjedhje lokale periudha e fushatës është përcaktuese në shumë raste për një pjesë të madhe të votuesve që nuk janë përcaktuar se cilën parti do të votojnë”.
Hulumtuesi nga KDI thotë se qytetarët duhet të ndëshkojnë me vote kandidatët që refuzojnë përballen me kundër kandidatët.
Deri më tani LDK e AAK janë deklaruar se fushata e tyre në terren do të shkurtohet në 5 ditë derisa pjesa tjetër do të jenë në formën online.
Edhe PDK është shprehur e gatshme për shkurtimin e fushatës në terren, por që nuk kanë marrë ndonjë vendim për këtë gjë.
Ndërsa partitë tjera nuk kanë pasur ndonjë qëndrim për shkurtim të fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat kundër COVID-19, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi deri në 20 persona, por duke respektuar distancën prej 1.5 metrash.
Gjoba për personat juridikë, në rastet e shpërndarjes së virusit, është 2,000 euro.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), javën e kaluar i ka bërë kërkesë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që zgjedhjet lokale të 17 tetorit, të shtyhen për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rastet e vdekjeve nga COVID-19.
Pas takimit që presidentja Osmani zhvilloi me partitë politike, për të diskutuar shtyrjen e zgjedhjeve, ku opozita kundërshtoi shtyrjen e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëri të ditur që fushata zgjedhore do të jetë 30 ditë.
KQZ-ja ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës zgjedhore, t’i respektojnë të gjitha masat dhe kufizimet kundër sëmundjes COVID-19./Telegrafi/