Site icon Telegrafi

Cakaj në New York: Thelbësore, mbyllja e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor

I ndodhur në New York për të marrë pjesë në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, në një darkë të shtruar për krerët e delegacioneve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku fokusi ka qenë tek integrimi i Rajonit në BE dhe tek thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit.

“Thelbi i diskutimeve të këtij takimi ishte shqyrtimi i përgjithshëm i situatës politike në rajon. Në përgjithësi, u dakordësuam se mbyllja e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor është thelbësore për të garantuar jo vetëm stabilitetin, por edhe zhvillimin e përgjithshëm socio-politik të tij. Po ashtu, nga të gjithë të pranishmit u theksua nevoja për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tetor”, shkruan Cakaj në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar me foton e takimit.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizon se vazhdimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është i një rëndësie të posaçme për thellimin e reformave, për të ndihmuar procesin e mëtejmë të demokratizimit dhe për të konsoliduar orientimin evropian të rajonit, në përgjithësi.

“Procesi i anëtarësimit në BE nuk ka asnjë alternativë për asnjërin nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor!”, mbyll postimin e tij Ministri në Detyrë Cakaj.

Exit mobile version