Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj gjatë ditës së sotme ka biseduar me të gjithë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për situatën pas tërmetit në Shqipëri.
Cakaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se ka marrë konfirmimin për vazhdimin e mbështetjes për rindërtim të plotë të hapësirave të prekura nga tërmeti, si dhe kujdesin e plotë ndaj të dëmtuarve.
“Natyrisht, shprehëm një falënderim të posaçëm për mbështetjen e tyre të pakursyer në këto momente të vështira për Shqipërinë. Po ashtu, morëm konfirmimin për vazhdimin e mbështetjes për rindërtimin e plotë të hapësirave të prekura nga tërmeti dhe kujdesin e plotë ndaj të dëmtuarve prej tij!
Shqipëria do të bëhet më e fuqishme se kurrë më parë!
Mirënjohje e skajshme për miqtë e partnerët e Shqipërisë për solidaritetin e tyre të pashembullt në këtë kohë të rëndë që do ta kalojmë me unitet të brendshëm e kurajo të pamatshme “, ka shkruar Cakaj./Telegrafi/