Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.
Kështu ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj për aktakuzat e konfirmuar nga Specialja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, përcjell Telegrafi.
Çakaj thotë se Serbia e jo Kosova do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale.
Mes tjerash Cakaj ka theksuar se, “sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës”.
Kujtojmë se, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/