Një numër i vogël i qytetarëve është vërejtur paraditen e së dielës në qendrat e votimit në veri të Kosovës, ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Me mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe – partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – nuk ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit, ndërsa, deri më tani nuk është raportuar për ndonjë incident në katër komunat veriore.
Në lidhje me këtë profesori, Seb Bytyqi, ka thënë se presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe Listës Serbe ka pasur ndikim në parandalimin e incidenteve në veri.
“Ka pasur një presion mjaftë të madh nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë dhe Listën Serbe që të mos ketë incidente. Dhe siç duket ka pasur efekt ky presion kështu që e keni parë që në fillim të fushatës kanë ndodhur disa incidente mirëpo ka rënë numri i tyre, janë zvogëluar incidentet dhe nuk ka pasur ndonjë incident të dhunshëm”, është shprehur ai për RTV Dukagjinin.