Site icon Telegrafi

Bytyqi i ofron mbështetje UP-së për përmirësimin e infrastrukturës

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka zhvilluar sot një takim me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë takim është diskutuar për problemet me infrastrukturën në këtë universitet, dhe gjithashtu nevojën e ndërtimit të objekteve të reja.

“Shpreha gatishmërinë që të ofrojë mbështetje në plotësimin e infrastrukturës, në tejkalimin e vështirësive që kanë në këtë drejtim, dhe theksova nevojën që kërkesat të qartësohen, të adresohen problemet dhe të angazhohemi së bashku, të bëjmë zgjidhjet e duhura brenda mundësive”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Ai ka thënë se do të diskutojnë edhe me Komunën e Prishtinës, që të zgjidhen mosmarrëveshjet për ndërtimin e objekteve të reja.

“Në këtë takim, veç tjerash, biseduam konkretisht për fakultetet, të cilat kanë nevojë më të madhe për zgjerim të infrastrukturës universitare dhe për objektet e disa fakulteteve që kanë nevojë sa më shpejt të intervenohet në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese”, thuhet në komunikatën e MASHT-it.

Ndryshe ky takim ka ardhur, pas paralajmërimeve të studentëve të FSHMN-së, që do ta bojkotojnë semestrin veror për shkak të kushteve ku studiojnë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version