Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi , po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Shkencë dhe Teknologji, e cila po mbahet në Gjenevë të Zvicrës me ç’rast nënshkroi Deklaratën e Qëllimit për themelimin e Institutit të Vendeve të Evropës Juglindore .
Në këtë konferencë u diskutua për trendet zhvillimore në fushën e Teknologjisë , sfidat e përbashkëta për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe kohezion social, forcimin e Inovacionit si dhe përfitimet reciproke në aspektin e shkëmbimit të informatave dhe përvojave.
Themelimin e Institutit të përbashkët i vendeve të Evropës Juglindore , do të bëhet sipas modelit të CERN-it, me iniciativën e Herëig Schopper, ish drejtor i CERN-it. Ky model është aplikuar me suksese në disa shtete me sisteme të ndryshme politike , në frymën paqësore dhe mendohet të jetë i dobishëm edhe për vendet e rajonit .
Po ashtu me anë të kësaj Deklarate të Qëllimit, palët kanë rënë dakord që të fillojnë përgatitjen e projektit të Institutit të përmendur , krijimin e kuadrit për bashkëpunim në fushën e shkencës , teknologjisë dhe industrisë përkatësisht trajnimin e talenteve të rinj të bazuar në transferimin e njohurive dhe teknologjisë nga qendrat evropiane .