Site icon Telegrafi

Bytyçi: Rrëzimi i Kurtit nuk është mosbesim, është largim i një rreziku nacional për vendin dhe kombin

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se është hera e dytë që SHBA nga instancat më të larta kanë demantuar kryeministrin dhe politikanët kryeneç të Kosovës.

Bytyçi ka shkruar në Faebook se krerët e koalicionit të vetë shkarkuar, Albin Kurti e Vjosa Osmani por edhe politikanë më të vegjël edhe më parë ishin përpjekur të mashtronin SHBA-të për demarkacionin dhe ishin demantuar nga krerët e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe dje, sipas Bytyçit u deshtë që Shtëpia e Bardhë ta demaskoj mashtrimin e madh të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit për gjoja ndarjen e Kosovës.

“Ata fyen, gënjyen, mashtruan dhe dhunuan institucionet e shtetit, por kurrë nuk pranuan të japin përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

E mbajtën peng vendin, e izoluan dhe e sollën në pikën më kritike raportin e shtetit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe as nuk u lodhën për këtë”, ka shkruar Bytyçi, duke kërkuar përgjegjësi nga Kurti e Osmani për mashtrimet që u kanë bërë qytetarëve.

Deklarata e plotë e Zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi:

Për një kohë të gjatë, një pjesë e spektrit politik në Kosovë, për pushtet dhe konsum tërësisht elektoral, kanë gënjyer qytetarët e Kosovës për një marrëveshje sekrete që kinse ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimit territorial.

Njëjtë kishin gënjyer për demarkacionin. LVV ishte në krye të këtyre gënjeshtrave, të tjerët sipas rastit.

Me një akt të pa precedent, Departamenti i Shtetit Amerikan, në emër të të dërguarit special të Presidentit Trump, Ambasadorit Grenell, Zv. ndihmësi i sekretarit të Shtetit, z. Palmer dhe Ambasadorit në Kosovë z. Kosnett, e përgënjeshtruan ekzistimin e një marrëveshje sekrete.

Por kjo gjuhë direkte e djeshme amerikane, ka histori edhe më të gjatë në Kosovë.

Njëjtë gënjeshtra ishte përdorur edhe në kohën e demarkacionit. Deklaratë lidhur me këtë kishte lëshuar edhe ish presidenti i ShBA-së, Barack Obama dhe ish zv. presidenti Biden, por për krerët e koalicionit tanimë të vetërrëzuar, Albinin dhe Vjosën, kishte qenë e kotë.

Ata fyen, gënjyen, mashtruan dhe dhunuan institucionet e shtetit, por kurrë nuk pranuan të japin përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

E mbajtën peng vendin, e izoluan dhe e sollën në pikën më kritike raportin e shtetit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe as nuk u lodhën për këtë.

E filluan betejën kundër PDK-së me gënjeshtra të cilat ndikuan politikisht të përfitonin për vete, por harruan se po dëmtonin më shumë vendin e tyre-Kosovën.

Si deri dje!

Albin Kurti, ndoshta e ka projektuar ndryshe provokimin e shkarkimit të tij, në vend të dorëzimit – largim me “dinjitet”, por, ai duhet të mos e harrojë kurrë: u shkarkua nga hiç më pak se mbi 2/3 e deputetëve.

Ai u shkarkua jo vetëm për mungesën e aftësisë për të qenë Kryeministër dhe përballur me probleme, jo vetëm për politikën tendosëse dhe mujshare kundër çdo adrese tjetër politike, por edhe për trajtimin dhe gënjeshtrat që i bënte ndaj shtetit më të rëndësishëm për Kosovën, ShBA-në!

Pra, rënia e tij nuk është thjeshtë mosbesim, është largim i një rreziku nacional për vendin dhe kombin e tij.

Tani, në situatën e re, deri në momentin e zgjedhjeve të parakohshme, iniciuesit e këtij mocioni duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre politike.

PDK, i beson vetëm kauzës së legjitimitetit qytetar, qëndrimi i kryetarit Veseli ka qenë dhe është i qartë!

Por, PDK nuk do të abuzoj asnjëherë me këtë situatë, por as ta pranoj abuzimin.

Ish partnerët e koalicionit, duhet të ofrojnë zgjidhjen e tyre, pa llogaritur në PDK.

Për më tepër, si LVV, ashtu edhe disa aktorë tjerë politik në Kosovë, duhet ta kuptojnë se gënjeshtrat dhe mashtrimet në luftën politike po e dëmtojnë Kosovën.

Por edhe Kosova po i mban mend shkaktarët e tyre.

Populli nuk është i verbër, populli nuk harron, ai është sovrani!

Exit mobile version