Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore me ndonjë parti tjetër politike në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.
Mirëpo siç tha Bytyçi, PDK do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë e vogla e që do të garojnë në listën e tyre.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të garojë vetëm nën siglën dhe llogon e saj, PDK. Kjo nënkupton se ne nuk do të kemi marrëveshje me partitë tjera për ndonjë koalicion parazgjedhorë. Mirëpo, PDK do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë e vogla që tradicionalisht kemi bashkëpunuar, e që do të garojnë në listën e PDK-së”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.
Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që sot të zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk ka vendosur nëse do të bëj apo jo ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti politike për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndryshe, sot është afati i fundit që partitë politike të deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore.
Deri në ora 18:00 të gjitha partitë politike kanë të drejtë të deklarojnë koalicionet eventuale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). /Telegrafi/