Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka kritikuar ashpër kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, për mënyrën e menaxhimit të seancës plenare ku u miratua buxheti dhe rezoluta e dialogut, mbrapa shpinës së partive opozitare.
Bytyçi përmes rrjetit social Facebook, tha se Kurti po kërkon falje për mashtrimet që vet u përpoq ditë më parë t’ia bëjë qytetarëve dhe partnerit strategjik, SHBA-së për çështjen e taksës.
“Vjosa Osmani, Kryeparlamentarja klandestine, në mënyrë klandestine e kaloi buxhetin dhe një rezolutë politike me një seancë klandestine. Pra, ajo e tradhtoi mirëbesimin e opozitës duke na mashtruar që të largohemi nga seanca, për t’u kthyer prapë në seancë për ta votuar buxhetin në lexim të parë e për ta kaluar një rezolutë.
Albin Kurti një njeri që nuk e mban fjalën, po kërkon falje për gënjeshtrat e tij që po i përsërit në vazhdimësi. I pa besë, i pa sinqertë dhe mashtrues, Kryeministri në rrethanat pothuajse të karantinës shtetërore, duke keqpërdorur situatën, kontrabandoi një buxhet të keq dhe miratoi një rezolutë që thotë se ai duhet të bëj dialog me Vuçiqin.
Qeveria Kurti nuk e ka hallin te qytetari e as te buxheti, e aq më pak te pandemia, por më shumë te takimi me Vuçiqin”, ka shkruar ai./Telegrafi/