Udhëheqësi i Departamentit për Shëndetin Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Pashkë Buzhala gjatë një interviste për “Përballje ditore”, në Telegrafi ka thënë se me miratimit e listës së sëmundjeve profesionale do të definohet trajtimi i punëtorit të sëmurë në vendin e punës.
Ai tha se nuk ka kuptim vetëm lista nëse nuk rregullohet pjesa e trajtimit të punëtorit sipas Ligjit për Shëndet dhe Siguri në Punë.
“Krejt qëllimi i listës është se çdo ndërmarrje apo institucion në bazë të kësaj që ka dhe dëmtohet shëndeti i punëtorit, ku pastaj rregullohet me trajtimin e personit që është sëmurë në vendin e punë apo përfitimet tjera. Në bazë të Ligjit për Shëndet dhe Siguri në Punë, barrën a duhet ta merr kompania, për mbulimin e një pjese të caktuar, apo sigurimi do të mjafton që ta mbuloj trajtimin. Pra këto janë gjëra duhet të rregullohen, ngase lista e thatë nuk ka kuptim”, tha ai.
Buzhala në këtë intervistë tha se duhet të trajtohen problemet te kompanitë për mbrojtjen e punëtorit.
“Edhe Ligji për Shëndet dhe Siguri në Punë parasheh qartë mbrojtjen e ne vendin e punës. Çfarë mund të bëjmë është që ta trajtojmë problemin dhe te kompanitë për mbrojtjen në punë të punëtorit”, ka shtuar Buzhala.
Gjithashtu, ai në këtë emision ka folur edhe për miratimin e kësaj liste zyrtare dhe rëndësinë e saj.
Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së. /Telegrafi/