Shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka folur për historinë e trojeve shqiptare dhe ka komentuar profilet e një sërë personaliteteve shqiptare.
Buxhovi duke komentuar figurat historike të shqiptarëve ndër vite ka thënë se deri më tani shpesh herë historia është parë bardh e zi.
Për Esat Pashë Toptanin, historiani ka thënë se është një figurë e respektuar e Lëvizjes Kombëtare.
“Pavarësisht këndvështrimit bardh e zi deri më tani për figurën e tij. Duhet pasur parasysh se Esat Pashë Toptani i takuar grupit të parë në Konferencën e Taksimit më Ismail Qemajlin, Hasan Prishtinën e Bedri pejanin ku është marrë vendim për Kryengritjen e Kosovës në janar të vitit 1912”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Buxhovi thotë se Toptani kishte rol në Shqipërinë e Mesme pasi edhe kishte forcën më të madhe ushtarake.
“Përkundër atyre që janë thënë për të, Esat Pashë Toptani ishte një figurë politike dhe ushtarake e pakapërcyeshme. Edhe Princi Vidi i dha dy poste të rëndësishme: Ministrinë e Ushtrisë dhe atë të Brendshmen”.
Shkrimtari thotë se Toptani ishte lojtari kryesor në politikën shqiptare për shkak të aleancave që kishte me Italinë Gjatë Luftës I-rë Botërore, e që në fund përfundoi në aleancë me Rusinë që ishte fituese e Luftës.
Buxhovi thotë se si aspekt negativ i Esat Pashë Toptanit mund të merret formimi i Qeverisë së Durrësit krahas asaj të Vlorës që ishte e drejtuar nga Ismail Qemali.
“Esat Pashë Toptani nuk duhet të trajtohet si tradhtarë. Ai ishte në situata kritike. Ishte në grupin e parë të organizatorëve për çlirim e përfundoi në anën e gabuar të historisë”.
Toptani duhet trajtuar jashtë paragjykimeve ideologjike.
“Esat Pashë Toptani ishte produkt i rrethanave të kohës…Me Rusinë qeveritë shqiptare kanë kokëtuar për një kohë të gjatë”.
Për Avni Rrustemin, Buxhovi thotë se ishte revolucionar.
“Me vrasjen e Toptanit ai kreu një veprim revolucionar. Pas këtij akti bota shqiptare ishte përfshirë në rrethin vicioz të vrasjeve dhe revolucioneve për nevojave politike. Edhe revolucioni komunist ishte i tillë”, tha ndër të tjera Jusuf Buxovi./Telegrafi/