Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, nuk paraqet problem sa i përket sigurimit të buxhetit, pasi që një gjë e tillë është paraparë me strategjinë e vitit 2014-të, të hartuar nga Qeveria e Kosovës, për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt dhe se për këtë tashmë, janë ndarë mjetet buxhetore.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani thotë për KosovaPress, se mjetet për investime kapitale që ka të bëjë me avancimin e FSK në ushtri janë ndarë dhe se çështjet financiare nuk paraqesin problem në rast të transformimit të kësaj force në ushtri të Kosovës.
“Konsiderojmë që sasia e mjeteve për investime kapitale që ka të bëjë me avancimin e FSK-së në një ushtri janë të ndara, janë të siguruara dhe çështjet financiare nuk paraqesin problem. Duke pasur parasysh kompetencat që i rriten FSK-së në këtë situatë dhe modernizimi i gjithë atyre elementeve të nevojshme për funksionimin e një ushtrie të rregullt nënkupton që me këto mjete nuk janë të mjaftueshme por ne gjithmonë llogarisim edhe në bashkëpunimin e partneritetit me partnerë strategjik që i kemi jo vetëm në aspektin ushtarak por edhe politik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe NATO”, ka thënë ndër tjerash Osmani.
Po ashtu, edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se sa i përket financimit të ushtrisë, nuk ka ndonjë problem.
Ai shton se edhe me rritjen e numrit të pjesëtareve të FSK-së pas transformimit në ushtri, nuk ka ndonjë implikim buxhetor.
Kastrati shtoi se ushtria do t’i ketë 5 mijë ushtarë të rregullt dhe 3 mijë rezervë.
“Rekomandimet që kanë dala nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë në 2014-të, ka dal që Forca e Armatosur t’i arrit kapacitete operacionale për armë dhe kryer misionin e vet, i duhen 5 milionë euro çdo vit shtesë nga buxheti që e ka aktual. Atëherë Qeveria e Kosovës është deklaruar që ajo është e përballueshme për buxhetin e Kosovës dhe për ekonominë tonë. Unë nuk shoh ndonjë problem të financimit evoluimit të FSK-së në Forcë të Armatosur“, vlerëson Kastrati.
Ai nuk e përjashton mundësinë që në rast se ka nevojë gjatë procesit të transformimit të ndahen edhe mjete shtesë me rishikim të buxhetit.
Kurse, Ibrahim Shala, drejtor i departamentit për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e FSK-së, thotë se për KosovaPress, se këtë vit nga buxheti janë ndarë 51 milionë euro dhe në rast të transformimit mjafton edhe buxheti i tanishëm.
“Sa i përket zhvillimit të ushtrisë së ardhshme të Kosovës, secili shtet e zhvillon ushtrinë e vet në bazë të kapaciteteve ekonomike që e ka, të gjitha ndryshimet që ju i numëruarat nuk janë paraparë që të ndodhin brenda një ditë apo një nate, mirëpo këto janë ndryshime që parashihen me plane afat mesme dhe afatgjate për çka edhe Qeveria e Kosovës do të përshtat buxhetin për zhvillimin e FSK-së mbi bazën e këtyre planeve”, tha ai.
Ai shton se parashihet që çdo vit të ketë nga 5 milionë euro shtesë, mjetet këto që nuk duket të ketë probleme për t’u siguruar nga buxheti i Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për FSK-në, ndërsa kryesia e Kuvendit e ka dorëzuar në Qeveri. Kjo e fundit pritet ta dërgoj në Kuvend në mënyrë që të procedohet.
Ky projektligj ka ngjallë reagime nga Ambasada Amerikane dhe NATO, pasi ata po kërkojnë që ky projektligj mos të procedohet në Kuvend pa ndryshimet kushtetuese, ku kërkohet edhe vota e deputetëve serb, të cilët tash e tri janë kundër formimit të ushtrisë. /Telegrafi/