Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel në intervistën për Telegrafin, ka folur edhe fokusin e gjatë Presidencës franceze të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Diplomatja franceze ka thënë se Bashkimi Evropian sovran për të cilin angazhohet fuqishëm Presidenti francez Emmanuel Macron duhet të veprojë për stabilitetin dhe prosperitetin e fqinjësisë së tij.
“Kjo është arsyeja pse Presidenca Franceze e Këshillit të BE-së i ka vendosur vetes dy prioritete gjeografike: Afrikën në fqinjësinë jugore të Evropës dhe Ballkanin Perëndimor sepse, më shumë se fqinjë, Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës”, tha Butel për Telegrafin.
“Fatkeqësisht, rajoni aktualisht po përjeton tensione të reja. Prandaj, Presidenca franceze synon të promovojë integrimin e saj ekonomik, të lehtësojë shkëmbimet njerëzore brenda saj, të trajtojë çështjen e pakicave dhe të luftojë kundër ndërhyrjeve të huaja. Prandaj është planifikuar që në qershor të organizohet një konferencë që do të tubojë qeveritë dhe shoqërinë civile, në mënyrë që këto çështje të mund të diskutohen ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ajo. /Telegrafi/