Site icon Telegrafi

Bushati: Qeveria shqiptare e gatshme për të ndihmuar Maqedoninë

Ministri i Punëve të jashtme të Shqipërisë me një postim në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet dhe ka shkruar se qeveria shqiptare është e gatshme të ndihmojë Maqedoninë për tejkalimin e kësaj situate të rëndë humanitare, transmeton Telegrafi Maqedoni.

”Rreshjet e pazakonta përmbytën Shkupin dhe Tetovën, duke shkaktuar një numër viktimash dhe dëme të mëdha materiale.
Gjatë ditës së sotme bisedova me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Nikola Poposki; Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Integrimit Arbër Ademi; Zv/Kryeministrin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili; si dhe me Kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifi.
Në emër të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, shpreha ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave duke përcjell njëkohësisht solidaritetin e Shqipërisë në këto momente të vështira.
Gjithashtu, shpreha gadishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të mbështetur autoritetet qendrore dhe vendore të Maqedonisë për tejkalimin e kësaj situate të rëndë humanitare.” shkruan Bushati në Facebook.

Përndryshe, MPB deri tani ka konfirmuar se ka 21 viktima nga vërshimet dhe janë regjistruar shumë dëmë materiale. Nga vendet e vërshuara raportohet se ka mbi 20 të plagosur dhe 5 të zhdukur./Telegrafi/

Lexo po ashtu Këtu mund të lexoni dhe shikoni më shumë lajme rreth vërshimeve të mbrëmshme (Foto/Video)
Exit mobile version